3

1.8K 154 166
                                    

Hyri brenda në shtëpi. S'mund të thoshte as se ishte e lumtur, as e inatosur, as e mërzitur.  Ndihej sikur i kishte të gjitha ndjenjat të përziera, por për të tjerët ish e lehtë të kuptohej gëzimi i saj, qoftë me një shikim të vogël që mund t'i hidhje.

Përplasi derën fort e më pas bëri një "upss" kur kuptoi se e kishte përplasur më tepër se ç'duhej.

Shkoi te dhoma e ndenjjes, atje ku ndodhej e gjithë familja e saj. Dani me shumë mundësi ishte larguar kohë më parë.

U ul në divan duke qeshur, thua se qëparë ajo Kristeni e inatosur as që kishte ekzistuar.

  - Çfarë ndodhi? Takove burrin tënd të adhurueshëm inekzistent? - e ngacmoi i vëllai duke ndërruar kanalet e televizorit sa te njëri e te tjetri në përpjekje për të gjetur ndonjë gjë interesante.

  - Siç takon ti të dashurën tënde inekzistente, - ia ktheu pa i përtypur fare në mendje fjalët që sapo tha, e vetëdijshme se i vëllai do ta shihte shtrembër.

"I adhurueshëm!"- filloi të debatonte me veten për cilësimin që Leo i kish bërë Alanit. "Përqeshës do ishte fjala më e saktë! Ose edhe bukurosh! Por edhe tallës!" - po mendonte me vete e sado që po përpiqej t'i vendoste atij një cilësi përfundimtare, përsëri s'po mundte dot.

  - Leo, do të të them diçka! - i tha atij papritur e i mori pultin nga dora për t'ia dhënë së motrës, që kishte kohë që i lutej kokëfortit për atë gjë.

  - Ik Kristen se s'ta kam ngenë, - ia preu shkurt duke u ngritur nga divani.

Ajo e ndoqi nga mbrapa si fëmijë, i kapi dorën e shkuan bashkë te dhoma e tij.  Mbylli derën mbas vetes dhe e vështroi atë në sy.

  - Tani, si vëlla shumë i mirë që je, do bësh diçka për mua.

Bashkoi duart e entuziasmuar duke pritur që ai ta pyeste se për çfarë ishte duke folur. Por Leo e dinte se çfarë e acaronte Kristenin, dhe të mos e shfrytëzonte mundësinë do të thoshte të humbte një nga kënaqësitë më të bukura.

  -Po nuk qeva i mirë unë, kush do jetë? Ti bëzhdilë e vogël?

E goditi në shpatull e inatosur, ndonëse nuk ia kishte idenë se ç'dreq kuptimi kishte fjala "bëzhdilë". Leo kishte një mani për të folur si plakat e lagjes.

  - Në qoftë se s'më ndihmon, do t'i them Danit se ti e pëlqen atë.

  - Jo! - protestoi menjëherë me zë të lartë, aq sa Kristeni u sigurua se e bërtitura e tij ish dëgjuar nga gjithë familjarët. - Në rregull, do të të ndihmoj. Më shpjego tani se për çfarë ke nevojë.

Ajo bashkoi duart e gëzuar e nxitoi të fliste.

  - Puna është kështu: është një djalë te një lokal dhe, pa i rënë gjatë, e pëlqej.

  - E çfarë të bëj unë? T'ju sjell ndonjë prift te lokali që të martoheni? - pyeti serioz, por dukej se po tallej.

  - Po më dëgjo pra njëherë deri në fund! Ti do të vish bashkë me mua në lokal dhe do hiqesh si i dashuri im, se dua ta bëj xheloz. Kaq, asgjë tjetër. Ama po ma nxorre bojën, i mjeri ti ç'do heqësh!

Fjalën e fundit e shoqeroi me ngritjen e gishtit tregues, që po ia drejtonte atij sikur të ishte duke e kërcënuar.

  - Kush është ky djali njëherë? - pyeti ai duke bërë rolin e vëllait të kujdesshëm.

  - Njëri. Do ta shohësh nesër.

Doli nga dhoma e tij pa i thënë asgjë tjetër e më pas u drejtua për te dhoma e saj.
Mori përsëri macen në krahë e si gjithmonë po e përkëdhelte duke qeshur.

  - Mac i vogël, vetëm ti di të më kuptosh mua. Kot s'them unë që je shpirti im binjak.

Ashtu me macen ndër duar e duke bërë ndonjë gjë që ajo e konsideronte shtyrje kohe, kaloi dita.

Të nesërmen në të njëjtën orë doli me të vëllanë për të shkuar në lokal.
U ul në vendin e saj të zakonshëm e i hodhi një shikim Leos.
Ai po vështronte lokalin e ajo s'e kuptoi arsyen se pse ai kishte një buzëqeshje në fytyrë.
S'i tha gjë, por bëri sytë katër për të parë në qoftë se Alani ishte atje apo jo. Dhe më në fund shikimet e tyre u përplasën.
Ai rrotulloi njëherë sytë e pasi vuri re Leon, bëri drejt tavolinës së tyre.

  - Oh! Ç'kënaqësi të të takoj përsëri! Ky është i dashuri im, Leo. Leo, ky është Alan, shefi i lokalit.

Ata u vështruan njëherë e Alani qeshi lehtë duke bërë një mimikë të tillë fytyre që ajo s'kishte për ta kuptuar, sado që të përpiqej.

  - Gëzohem, - i tha ai Leos e zgjati dorën për ta takuar.

Vëllai i saj lëvizi njëherë kokën si për t'i thënë "gjithashtu" e ajo vështronte e hutuar drejt tyre.

S'e dha veten aspak. Hodhi flokët nga njëra anë e shtrembëroi fytyrën e pakënaqur.

  - Mund të ulesh po pate dëshirë. Mos qëndro në këmbë, lodhesh.

  - Faleminderit. Ftesën tënde isha duke pritur, - ia ktheu ai në mënyrë shpotitëse.

Alani u ul në karrige e pas disa sekondash nisi një muhabet të qetë me Leon. Po flisnin të dy me zë të ulët e ajo, që ishte pak larg tyre, nuk mund t'i dëgjonte shkoqur fjalët që ata thoshin.

Kryqëzoi duart në kraharor e po shikonte njëherë Leon, njëherë Alanin.

  - Qëndroni edhe pak më afër. Si dy pederastë dukeni, - ia priti pa u menduar fare se ç'fjalë dilnin prej asaj goje.

  - Po ti je budalle! - mërmëriti i vëllai i inatosur. -Këtej thua që më ke të dashur, këtej thua që jam pederast.

  -Interesante se si ke zgjedhur një të tillë për të dashur, - ia ktheu Alani qetë-qetë pa e prishur terezinë fare.

  - Çdokush sipas shijes, - gjeti përgjigjen në majë të gjuhës.

Ai rrotulloi njëherë sytë duke treguar qartë faktin se ajo situatë nuk ishte më e mira në të cilën mund të gjendej.

  - Mos ja var shumë Kristenit. Ka pak probleme me nervat, mos i vër faj, - foli Leo duke qeshur me zor e Kristeni e shikoi si të donte ta vriste.

  - S'më dukesh mirë, Leo. Kalimi në duart e shumë meshkujve më duket se të ka lënë të mangët.

Vështruan njëri-tjetrin të inatosur. Kjo ishte e keqja e të pasurit vëlla. Të nxirrte bojën edhe kur i thoje të mos e bënte. Lëre ç'thonë njerëzit se është mirë të kesh një të tillë!

  - Qenkeni interesantë si çift ju të dy, po më pëlqeni! Vazhdoni, mos u shqetësoni nga prania ime, - shtoi ai fjalinë e fundit kur Leo dhe Kristeni e vështruan të acaruar.

  - Se në fakt s'ka gjë më interesante sesa të zhgënjehesh totalisht prej një mashkulli. Nejse. Eja Leo, kemi pak punë së bashku për të mbaruar. Dhe të kërkoj ndjesë Alan, i dashuri im thjesht nuk është mësuar të ketë shumë kontakte me njerëzit, pëlqen të jetë i mbyllur, - filloi të përralliste teksa ngrihej nga karrigia.

Kapi Leon për dore duke dalë nga lokali me turfullima.
S'e përshëndeti fare Alanin. Le që s'i kishin shkuar punët siç i kishte parashikuar, po i kishin dalë akoma më keq.

Gjatë gjithë rrugës për në shtëpi u zunë si macja me miun. Dhe nëse Kristeni debatonte, s'kishte shans të mos dilte fituese, sado të kota të ishin argumentet e saj. Kur arritën në shtëpinë e tyre dhe u bënë gati për një tjetër seancë grindjeje, nga jashtë dritares shikoi një kamion nga ata që transportojnë mobiliet në rast se dikush shpërngulet nga njëra shtëpi në tjetrën.
Kishin komshinj të rinj siç dukej.

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now