Pjesa 11.

589 100 72
                                    

E kishte pritur këtë Vit të Ri në ballkon, e fatmirësisht ishte një nga ato netë që ajo ndihej e lirë, sepse askush nuk i thoshte përse rrinte në mes të natës jashtë. Ajo e donte natën, donte yjet, donte qiellin dhe mbi të gjitha donte hënën. Hënën!
Të gjithë trupat qiellorë i falnin qetësi, qetësi dhe dashuri e ajo e ndiente veten si një prej tyre, ndoshta kjo ishte dhe arsyeja që ajo ndihej e tepërt në këtë botë, ndoshta ishte destinuar të jetonte diku tjetër.

Fatmirësisht pjesëtarët e tjerë të familjes ishin shumë të rritur për të pritur Vitin e Ri jashtë, prandaj qëndronin brenda duke ngrënë e duke pirë ashtu si një shqipar e ka zakon të bëjë atë natë 31 dhjetori.

E ajo, ishte e lumtur, ishte e lumtur që ndodhej vetëm ajo, nata dhe errësira.

Nxorri telefonin nga xhepi dhe pa akrepat e ores të shkonin 00:00 e në ato momente zbriti nxitimthi nga ballkoni duke shkuar në oborrin gjigand të shtëpise teksa po ndiente zhurmat e para të fishekzjarreve. U ul në borë pa e vrarë mendjen se do të lagej a do të ftohej e ngriti kokën nga qielli duke parë atë të ndriçohej nga dritat shumëngjyrëshe të fishekzjarreve. Qeshte me vete si një fëmije e nga sytë e saj rridhnin lotë, ca lotë gëzimi që po shikonte atë natë magjike në sytë e saj. Në sytë e një fëmije me zemër të pastër, me shpirt të çiltër të pa ngjyer në llumra mëkatesh, ajo natë ishte magjike.
Ajo ishte një njeri i tillë që lumturohej fare lehtë, me një përqafim, me një fjalë, me një dritëz. Nuk kërkonte shumë nga jeta e as jeta nuk duhet të merrte shumë nga ajo.

U ngrit në këmbë e duke buzëqeshur kërcente sikur donte të kapte qiellin e për fat të gjithë fishekzjarret sikur përplaseshin në atë copëz qielli që asaj i kishte rënë për pjesë.Ç'lumturi!

Kishin kaluar gati 10 minuta e vetëm tashmë, përfundoi dhe fishekzjarri i fundit që ajo e përcolli me një buzëqeshje të fundit për atë natë. E priti atë Vit të Ri me buzëqeshje, a thua se do të ishte i gjithi i tillë? A thua se një buzëqeshje do të caktonte fatin e atij viti? Naivitet!

Ngjiti shkallët shkujdesshëm e shkoi në dhomën e saj duke u uruar familjarëve natën e mirë, se ata kushedi sa do të rrinin tërë natën. Kishte ardhur dhe xhaxhai i saj së bashku me familjen. Do të bëheshin tapë tërë natën e pastaj do fillonin të bërtisnin, e ajo e urrente atë gjë. Donte qetësinë!

U shtri në shtrat duke vëzhguar qiellin, ende të mbushur nga tymi, por përsëri yjet e gjenin hapësirën të shkëlqenin. Sa të fortë!

Lëvizi majtas e djathas, por gjumi nuk e kapi, kështu që pa hapur dritën e dhomës kontrolloi në garderobën e saj për ndonjë shishe birrë. E, gjithmonë kishte thënë se nuk është asnjëherë keq të çmendesh vetëm një ditë të vitit ndërkohë që gjithë ditët e tjera i ke kaluar në atë normalitet aq të mërzitshëm, që të merrte shpirtin.

Hapi dritaren e u ul në krevat. Ç'pamje e qiellit që i servirej! Ktheu shishen e birrës njëherë e ndjeu stomakun t'i përvëlonte, por në të njëjtën kohë një dëshirë të flaktë për të pirë përsëri e kështu bëri. Pas ca gllënjkave, piu e ca të tjera, e pas tyre përsëri të tjera.

Tashmë ndihej mirë, se birra ishte në përfundim. I erdhi një dëshirë e marrë për të qeshur me vete e ashtu bëri se në ato momente ndihej sikur ishte çliruar nga të gjitha prangat që e torturonin çdo ditë, nga ato pranga që i ishin vënë dhe në grykë.

Si një e marrë, u ul në parvazin e dritares së katit të dytë. Goxha lartësi që atje e ndjeu një marrje mendsh se i kishte pasur përherë frikë lartësitë, mirëpo nga ajo pija sikur mori guxim.

Guxoi të nxirrte dorën jashtë dritares e të lejonte të ledhatohej nga ajri i freskët i asaj nate. Ishte acar, por ajo ndiente valë të nxehta të buronin nga vetë ajo.

Xhelozoi! Xhelozoi ajrin që lëvizte i lirë e askush s'i kërkonte llogari. Po ajo, ajo edhe nëse merrte frymë në një ritëm më të shpejtë se zakonisht duhet t'u jepte sqarime prindërve se përse vallë ato rrahje zemre ishin rritur, ç'kishte vajza e tyre...

Xhelozoi yjet, ata që i donte tashmë i xhelozoi. Xhelozoi hënën! Xhelozoi çdo gjë e mallkoi veten.

Ca lotë i rrodhën nga sytë, por ndryshe nga më parë nuk ishin lotë gëzimi, nuk ishin ca lotë gëzimi të dalë nga sytë e një fëmije se lumturohej aq shumë e gjora kur shikonte dhe qiellin të buçiste. Kësaj here ishin ca lotë trishtimi, lotë trishtimi të dalë nga shpirti i një adoleshenteje të shtypur, të ndrydhur për të jetuar. E, ndoshta mund ta bënte tragjike, mund të mos ishte ndonjë gjë e madhe, por ajo kishte me vite të tëra që ndihej kështu e me vite të tëra kishte burgosur çdo lot, ama tashmë ata po shpërthenin.

Ajo nuk ndihej e trishtuar vetëm se ishte e ndaluar të donte, se thellë-thellë edhe ajo e dinte që ndoshta s'ishte fare dashuri.

Ajo ndihej e trishtuar se me vite të tëra qëndronte e burgosur në shtëpinë e saj, gjithmonë e rritur me atë frymë se femra duhet të rrijë brenda, të bëjë ndonjë punë e ta ketë kokën në mësimet.

Gjithmonë ishte rritur me atë frymë se ajo femër e cila ecën në rrugë dhe kthen kokën mbrapa është kurvë.

Gjithmonë ishte rritur me atë frymë se as babain e saj nuk duhet ta shikonte në sy e jo më ndonjë mashkull të panjohur.

Gjithmonë ishte rritur me atë frymë se burri mund të verë dorë mbi gruan, e gruaja është një bashkëshorte e mirë, është femër ndaj për hir të familjes duhet të durojë.

Gjithmonë ishte rritur me atë frymë se vajza duhet të martohej me atë bashkëshort që do i gjente babai, sado e madhe të ishte ajo, gjithmonë të ardhmen duhet tia linte babait ta vendoste e nëse për ndonjë arsye a ndonjë tjetër ajo ndahej nga bashkëshorti, përsëri turpi dhe fajet i mbesnin asaj, kështu që ishte më mirë të duroje tërë dhimbjen, sesa të ndaheshe nga bashkëshorti e mos gjeje më derën e babës për të futur kokën. Le të ishte burri pijanec, le të ishte kumarxhi a kurvar, femra që është femër i bën kabull të gjitha e duron.
Me këtë frymë ishte rritur ajo.

Me këtë frymë ishte rritur ajo. Po a mundej një yll të jetonte me atë frymë?! Ajo dashuronte lirinë, dashuronte lirinë. Donte të bridhte fushave të gjelbra e lumtur, e çliruar nga çdo zinxhir që e mbante të prangosur në atë kullë të përjetshme që ishte shtëpia e saj.
Ajo donte të luante me topa bore si fëmijë, pa u vrarë nga fjalët e grave llafazane se tashmë çupa 17-vjeçare duhet të rrinte në shtëpi se nesër do vinte te burri.

SI mund të jetonte një shpirt i lirë si i saji i burgosur në një skëterrë që ne e quajmë univers?

E teksa mendohej, ndjeu një zhgënjim të pesonte në zemër, zbriti nga dritarja e u shtri në shtrat.

Lëshoi e ca lot të tjerë si dolli për atë vit të ri. Dolli me dhimbje shpirti, dolli me lotë, dolli me fjalë të ndrydhura në shpirt të pathëna kurrë, madje as nga efekti i pijes. Ato fjalë që dëshironte të buçisnin në çdo cep qielli, vendosi përsëri t'i burgosë thellë në shpirt. Ishte femër në fund të fundit, le të duronte! Punë e madhe!

Proksima e Tokës.Where stories live. Discover now