Pjesa 30.

565 98 47
                                    

Ajo ditë kishte qënë ndryshe nga të tjerat, kishte qënë një ditë ku ajo ishte ndjerë si të qe vërtet një adoleshente, megjithatë i kishte dalë për hundësh më vonë, sepse me largimin e mikeve të saj, e vjehrra e kishte marrë në pyetje sikur duhet të kalonte ndonjë veting, e më pas e kishte bombarduar me punë të tjera.

Tashmë dergjej e lodhur, e rraskapitur në shtratin e saj. Fatmirësisht nata ishte e mrekullueshme.

Një errësirë e ëmbël vishte kujdesshëm çdo cepëz të qiellit, ishte ngjyrosur në një mënyrë perfekte ajo copë e pafundme qielli dekoruar tërë yje që shndërrisnin tërë hijeshi teksa qëndronin kryelartë mes njëri-tjetrit, e dukej sikur çdo yll donte të dukej më shumë se të tjerët.

Hëna, mbretëresha e natës mbizotëronte kundrejt çdo trupi tjetër qiellor. Fatmirësisht ishte e njëjta hënë, shikonte një copëz tjetër qielli nga ajo dritare, por hëna ishte e njëjtë, ajo e kish ndjekur e kish vendosur t'i bënte shoqëri mikes së saj, yllit të një galaktike të harruar rënë pa kuptuar në Tokë.

Donte të ishte si ato netët e vjetra, e fshehur vjehrrës kishte marrë një shishe verë. Kushedi kur do i vinte mundësia për të rrëkëllyer ndonjë gotë, apo për t'u ndjerë e lirë.

E hodhi atë të kuqe në një gotë qelqi e hapi dritaren. I dukej sikur i kishte më larg yjet nga ajo dritare, sikur e kishte më të vështirë për t'i prekur, për t'u kërkuar ta rrëmbenin atje, në yjësinë e tyre.

Rrëkëlleu me fund verën e kuqe, la shenjat e buzëve të saj mbi gotën e kristaltë e lëshoi një shtullungë ajri në qiell, të ngjitej të arrinte hënën e ta dehte dhe atë...

Le të kishte ajo natë dy shpirtra të dehur, atë dhe hënën...

Ndihej kaq inferiore, e burgosur në një univers pa ngjyra, bardh e zi, tepër i vogël për një shpirt të madh ëndërrimtar si i saji, tashmë i shuar pa asnjë shkëndijë. Ajo çka kishte mbetur nga ëndrrat e dëshirat e saj ishte vetëm hiri.

Ndjeu zilen e telefonit t'i binte e pa e parë fare se kush ishte vendosi të përgjigjej,

-Alo?! - nuk mori asnjë përgjigje tjetër përveç heshtjes. Heshtja i shkaktoi ca drithërima, i shkaktoi ndjenja të çuditshme, se mendja e saj filloi të luajë pisët, shumë pisët.

-Proksima.-më në fund dëgjoi një zë mashkulli qe mezi dëgjohej. Dëgjoi atë zë të artikulonte atë emër pas gjithë kësaj kohë. Atë zë mashkulli që dikur i ofronte qetësi, liri e shpresë. Atë zë që dikur ia kishte rrëmbyer zemrën me ca fjalka të bukura mbushur tërë ndjenja,ose të paktën kështu kishte menduar ajo. Atë zë që dikur e kishte besuar më shumë se zërin e brendshëm të saj. Atë zë që në fund i kishte copkavitur zemrën. Atë zë që e kishte bërë të përjetonte shumë, po shumë ndjenja nga më të ndryshmet ; të ëmblat ndjenja të dashurisë adoleshenteske, të hidhurat ndjenja po të dashurisë.

Nuk i ktheu përgjigje. Ç'ti thoshte? Thjesht mori frymë thellë e rrëkëlleu një tjetër gotë. Pas pak çastesh ndjeu sytë e skuqura t'i përvëlonin e, ashtu pa dashje ca lotë u shkëputën nga të karameltat sy ngyrosur me një rozë të flaktë.

-E di që më urren. Ke të drejtë. Më urre. Ajo dëshira për të më vrarë është gjigande, e di, më vraj. Meritoj çdo sharje çdo të keqe, u tregova një gomar.

-E di.- lejoi atë të dëgjonte dhe njëherë zërin e saj, por ishte ndryshe dreqi e marrtë. Ai zë kish humbur jetën, ngjyrat e gjallërinë. Aty gjeje veç trishtim tashmë, se lumturia ia kishte mbathur me të katërta nga ajo.

-Jam penduar Proksima. Jemi të papjekur e di dhe ti, bëjmë gabime e ato gabime na vrasin ndërgjegjen çdo sekondë. Fati jot më vret mua Proksima, jam fajtor për të.

-Është pak si tepër vonë për të shfaqur pendesë. Po të fal atëherë që të qetësohet dhe ndërgjegjia jote e të flesh i qetë.

-Basti i një djali adoleshent do thuash e di. Kështu ishte, ke të drejtë. Unë e fitova atë bast Proksima, por humba veten.

-Përse munden meshkujt ta humbasin veten? Ose më sakt a e kanë një të tillë?

-Normal që e kanë. Kemi ndjenja si dreqi dhe përpiqemi t'i fshehim edhe nga vetja, jo më nga të tjerët.

-Çudi! Vepra jote s'më duket pjellë e një njeriu me zemër, veçse mos e ke prej druri a guri.

-Ishe vetëm një bast në fillim Proksima, por më pas fillove të më hyje në zemër. Ëmbëlsia që të karakterizonte, shpirti i pastër e kaq i pafajshëm, i brishtë, i çiltër. Po ishe si një trëndafil i bardhë, thjesht i bardhë pa nuanca të tjera në të, e pandotur, kristal.

-Isha Gledis, isha para se bataku të më zhyste nën vete. Kur pate ndjenja për mua, përse nuk pranove të martoheshim?

-U tregova hajvan. Nuk mendova se ishin ndjenja aq të forta,por thjesht një fiksim i moshës dhe nuk duhej të shkonte deri në martesë.

-Dhe pate të drejtë, ashtu qe.

-Jo Proks, unë nuk të largoj dot nga mendja një sekondë.

-Se të bren ndërgjegjia.

-Dhe diçka tjetër. Rrezatimi ëngjëllor i joti... Kërkon të kthehet pranë meje.

-Nuk të pinë më ujë këto fjalë të bukura Gledis. Njëherë i hëngra. Nuk dua të jem bast i dytë i fituar i një djaloshi. Ti e bëre këtë zemër paranojake ndaj çdo ndjenje tjetër dhe për më tepër jam e martuar, mos harro.

-Dua të të ndihmoj.

-S'kam nevojë për ndihmë. Unë e pranova këtë që më ra për pjesë.

-Ti ke 18-vjetorin për dy muaj Proks. Do bësh celebrimet me atë barkderr, do jesh përjetë e lidhur. Brenda këtyre dy muajve duhet të ikësh.

-Nuk do e bëj Gledis. Do jetoj këtu. Nuk dua të krijoj shpresa të kota të cilat do të thyhen në fraksione sekondash, do të shkrumbohen bashkë me buzëqeshjen naive të krijuar. Nuk dua të vras dhe ndonjë copëz pozitivitet a naivitet mbetur gjallë në shpirtin tim.

-Më beso Proksima, nuk do e lejoj këtë gjë.

-Kështu thoshe dhe dikur Gledis, kështu thoshe. Më premtove përjetësinë, më premtove se do të bëheshe barrierë a pritë vështirësie, sikur duart tona do mposhtnin të bashkuara sfidat duke i goditur fort, por e di ç'ndodhi? U ndamë më shpejt sesa u lidhëm, u zhduke sikur të mos kishe ekzistuar kurrë, duart e tua i lanë të vetme të mijat, e gjithë botën e mbajta me këto duar, tashmë u dobësuan, u vyshkën nga tërë ajo peshë. Si të të besoj tani?

-Ke të drejtë, por të premtoj që kësaj here do jetë e vërtetë.

-Leri premtimet, se janë për ëndërrimtaret e unë tashmë s'jam e tillë. Ishte ti ai që dikur më ke thënë të jetoja më pranë realitetit. Unë braktisa universin tim, duke jetuar në këtë realitet. Isha e pafajshme, e lumtur dikur, se nuk jetoja këtu, por tashmë dhe unë jam si gjithë të tjerët, e detyruar, e destinuar për të vuajtur, derdhur lot a duruar. E destinuar për të vdekur çdo ditë nga pak.

-Proksima...

-Natën e mirë Gledis. Ta kam falur. Jeta është shumë e shkurtër për të mbajtur mëri. S'dihet ç'ndodh.
E dije, se ishe gabimi im më i madh, por në të njëjtën kohë një gabim i bukur.- me kaq ia mbylli telefonin dhe e flaku tutje.

Lëshoi më në fund një ujëvarë lotësh të cilët mezi po mbaheshin, po pikonin pikë-pikë nga pak sikur të mos krijonin potere të madhe.

Gurgullonin mendimet thellë saj. Buçisnin ca fjalë që donin të dilnin në sipërfaqe, por ajo s'i lejonte. Gjëmonin tërë ndjenjat fshehur në ndonjë qoshe të shpirtit. Gjithçka donte të dilte në sipërfaqe e të luftonte me çdo gjë, por ishte e pamundur.

Burgosur kishin qëndruar, burgosur do qëndronin, mendimet, fjalët e vetë ajo. Prangosur kishin jetuar e prangosur do jetonin, mendimet fjalët dhe Proksima.

Proksima e Tokës.Where stories live. Discover now