Pjesa 28.

535 100 77
                                    

Tik taku i orës e shqetësonte shumë se herët a vonë ai tik-tak do të sillte agimin, një ditë të re që ajo aq shumë e urrente. Donte të ndalte akrepat e orës, të pengonte rrotullimin e tokës e të ngelej përherë natë, kështu dhe ai shpirt i robëruar do të mund të pushonte.

Këmbët nuk i ndiente se tërë dita kishte qënë mëse e lodhshme. Si të mos mjaftonte kjo, në mbrëmje kishin ardhur mysafirë, ashtu pa lajmëruar siç e kishin zakon. Kishin ardhur kunatat e saj me gjithë fëmijë e, e gjithë pesha i kishte rënë asaj se duhet të plotësonte tekat e të gjithëve, darkën, ushqimet e preferuara, të merrej pas fëmijëve se ato duhet të bënin thashetheme me të ëmën e tyre, të dëgjonte pallavrat e burrave që ishin bërë tapë e s'dinin ç'thoshin dhe fjalët me kunja që kunatat i thoshin. Të gjitha këto e kishin lodhur, i kishin shtuar stresin se për dreq nuk ishte ndonjë grua e pjekur që të përballonte ato punë tërë ditën, pritje e përcjellje, ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe, po ishte në moshën e fëmijëve të tyre për dreq. Po si nuk pati një njeri me zemër që ta afronte a ta ndihmonte? Po si nuk pati një human në tërë atë kope njerëzish?

E tashmë qëndronte e shtrirë në shtrat fatmirësisht. Ajo gjithmonë e kishte dashur natën, por sot po i ndihej falenderuese. Vetëm falë saj ajo mund të qëndronte vetëm, nën prezencën e yjeve dhe hënës pa u shqetësuar nga askush. Falë zotit, Gjergji ishte pirë dhe s'kish pasur mendje tjetër përveç gjumit.

***

Kishte ditë që e kishte marrë vesh tragjedinë që i ndodhi shoqes së saj Proksimës dhe po gërryhej nga brenda pak-nga-pak. E ndiente veten fajtore, se në një farë mënyre dhe ajo e kishte nxitur të pranonte ndjenjat e saj karshi Gledisit, atij personi që e urrente më shumë sesa vetë Proksima. Po i ishte shkatërruar jeta një adoleshenteje mbushur tërë ëndrra për të ardhmen! Ishte fatkeqësi! Ishte tragjedi!

I tërë fshati kishte bërë bujë të madhe për të. Për ditë me rradhë tema kryesore e çdo bisede ishte Proksima, ose vajza e Fatosit. Kishin nga ata që i hiqnin kapelën të atit që e sistemoi të bijën, nga ata që ndienin keqardhje për vajzën e gjorë e nga ata që thoshin se turpi nuk lahet aq shpejt. Po njerzit këtë punë kishin! Ata vetëm me fjalë merreshin.

Edhe pse ai e martoi të bijën përsëri me fjalë merreshin, edhe nëse nuk do e martonte ata përsëri do flisnin. Njerzit do flasin sidoqoftë, e rëndësishme është që ndërgjegjia jote të jetë e pastër, e gjërat të bëhen ashtu si bëhet mirë për veten e familjen, jo për të tjerët.

A jetohet vallë vetëm për të kënaqur të tjerët? Është mizori...Jetën zoti ta ka dhënë për ta jetuar ti, jo dikush tjetër.

Në shkollë të gjithë kishin marrë lemerinë! Mësuesit ishin pikëlluar për atë vajzë të gjorë se e njihnin mjaft mirë, e u kishe ardhur keq për fatin e saj, por nuk donin të ngatërroheshin, në fund të fundit ishte bija e dy prindërve dhe pastaj nxënësja e tyre.

Vajzat ishin llahtarisur se e vinin veten në vendin e saj. Do të shkatërroheshin! Ama, kishte nga ato që fërkonin barkun, se shumë inat e kishin patur vajzën e përsosur të shkollës, e dalluar në mësime, sjellje shembullore dhe asnjë fjalë të keqe pas së cilës të kapeshin.

Djemtë mendoheshin dy herë para se t'i hidhnin grepin një vajze se disa mendonin që ishte fat për Gledisin që shpëtoi, ama kishte dhe të tjerë që u vinte keq, pasi e njihnin mirë që ajo kish qënë një vajzë e mirë. Kështu ishte ditët e para, se më pas, epo u harrua, ashtu siç do ishte harruar edhe nëse ajo nuk do ishte martuar.

Shkurt, të gjithë flisnin sipas qejfit të tyre, ama një vajze iu shkatërrua jeta. Po kush do ishte aty për ta vrarë mendjen për këtë gjë? Ajo ishte harruar tashmë e gjithësecili kishte vazhduar me jetën e vet.

Proksima e Tokës.Where stories live. Discover now