Pjesa 22.

539 92 101
                                    

Natën e kaluar kishte mbetur pa ndjenja nga tërë ato goditje që mori trupi i saj i vogël, i brishtë. Zemra e gjorë e së ëmës mezi kishte duruar teksa shikonte të bijën, por nuk guxonte të thoshte ndonjë fjalë, se ku do e dëgjonte i biri në fund të fundit?  Kishte mbetur pa ndjenja në dyshemenë e ftohtë dhe vetëm atëherë ai si një bishë e tërbuar kishte ndaluar, kur kishte parë se ishte shkrehur fare trupi i saj, kur kishte parë gjakun të rridhte lumë nga e prera nga copa e xhamit të gotës, por përsëri nuk i ishte dhimbsur. Sikur të mos e kishte patur motër! Asnjë nuk e kishte marrë ta shtrinte në krevat, të paktën të mblidhte kockat, por e kishin lënë aty në dysheme, le t'i dridhej shpirti nga i ftohti e dhimbja, kujt i interesonte në fund të fundit? Po t'u kishte interesuar s'do e kishin katandisur ashtu.

Si mund të justifikohej sjellja e tij? Në gjaknxehtësi e siper se gjeti të motrën bashkë me një djalë në shtëpi të përqafuar? Oh, jo nuk ishte moment gjaknxehtësie. Thjesht nëpër venat e tij rridhte një gjak i helmatisur nga mentaliteti, rridhte një gjak që nuk duronte dot atë që kishte parë se gjithmonë ishte mësuar me figurën perfekte të së motrës  e gjithmonë që në vogëli i kishin thënë o të bëhesh, o mos bëhesh fare.

Kishte lajmëruar dhe të atin e sapo kishte marrë vesh si kishte qënë puna ai ishte nisur menjëherë, koka i vlonte, i buçiste e tërë rrugës mendohej si do pastronte llumin e shkaktuar nga e bija.

Sapo hyri në shtëpi nuk kishte se si të mos shikonte gjendjen mortore që kishte përqafuar shtëpinë, s'kishte më gjallëri, s'kishte jetë.

Sapo e panë siluetën e tij, djali u ngrit nga pozicioni në të cilin kishte me orë të tëra që rrinte, ulur në divan me duart në kokë duke i hedhur herë-herë vështrime të motrës e për një copëz herë kishte ndierë mëshirë në zemrën e tij, mëshirë kur shikonte se si e kishte katandisur, por më pas kur i kujtohej shkaku, thjesht donte të mendonte se ishte vetëm një makth. E ëma qante në heshtje e s'dinte përse të qante më parë,  i dhimbsej e bija apo situata në të cilen i kishte çuar.

E nga ana tjetër qëndronte ajo, ishte përmendur vetëm pak minuta më parë e i ishte dashur kohë të rikujtonte dhe njëherë çfarë kishte ndodhur. Për një moment kishte menduar se kishte qënë një makth e gjëja e parë që do bënte ishte të ndahej nga Gledisi, por fatkeqësisht kishte qënë mëse e vërtetë. Ndiente çdo pjesë të trupit t'i dhimbte, fytyra t'i përvëlonte sikur dikush t'i kish' vënë flakën.  Ishte ngritur ngadalë duke u hequr zvarrë në dysheme, ishte mbështetur pas murit e ashtu e mbledhur kruspull qëndronte e ulur pa e ngritur kokën aspak, herë duke qarë, here duke humbur në mendime. Ç'do të bëhej tashmë me jetën e saj?! Të ndryshonte kaq papritur me një të pulitur sysh?

Njeriu nuk e kupton si ndryshon jeta e tij, në një moment është gati të fluturojë nga lumturia dhe në sekondin e ardhshëm e gjen veten pushtuar nga vuajtja e dhimbja, zhytur thellë në dëshpërim.

-Fatos shyqyr që erdhe se plasa.- foli e ëma e u ngrit menjëherë.

Ai injoroi të gjithe e shkoi pranë saj. Përtheu paksa gjunjët për të arritur të njëjtin nivel me të

-Po ç'na bëre kështu moj të marrtë dreqi? Ç'të kam lënë mangët? Para ke patur sa ke dashur, të janë plotësuar të tëra kushtet. Më thuaj ç'pate, s'kishe për të ngrënë a, për të pirë a, për të veshur a? Po më ra leshtë e kokës nëpër Greqi duke punuar si e si që të jetoni mirë e si ma shpërblen? Më sjell qentë në shtëpi.- kur tha fjalinë e fundit u inatos e përplasi fort grushtin me murin e ftohtë, se ndryshe do kishte përfunduar në fytyrën e saj. Ajo u tremb, u tremb në mënyrë instiktive kur mendoi se për herë të parë do ndiente dorën e babait të saj.

U prek jashtë mase nga fjalët e tij. Kishte zhgënjim e dhimbje. E, ai kishte të drejtë. Gjithmonë kishte patur çfarë kishte patur nevojë.Por...Ajo nuk ishte lidhur me dikë se kishte patur nevojë për këto gjëra.

Proksima e Tokës.Where stories live. Discover now