Pjesa 29.

573 95 116
                                    

Atë mëngjes ishte ngritur në orën gjashtë. Kishte fshirë tërë oborrin anë e mbanë, kishte bërë mëngjesin gati e kishte përcjellë Gjergjin për në Greqi, do të rrinte andej atë natë e për këtë ishte mëse e lumtur, do të kalonte një natë të qetë, si dikur, vetëm ajo dhe nata,ose të paktën kështu shpresonte.

-I mole dhitë moj?

-Bukë i dhe Marios?-iu referua nipit të saj 25 vjeçar i cili nuk kishte ikur që atë ditë që ishte mbledhur fisi. Si të mos mjaftonin punët e shumta duhet të merrej dhe me tekat e të gjithëve. Sa bukur!

-Po, mama. Dua të të them diçka.- dridhej e gjitha teksa kishte ditë që mblidhte guximin për t'i thënë ato fjalë. Shkoi pranë saj e u ul përballë.

-Pa hë.

-Për shkollën time si do bëhet? Sikur ta vazhdoja...

-Të kishe patur mendje për shkollë ti, nuk bëje dashuriçka.- këto fjalë kushedi sa e sa herë i kishte dëgjuar deri më sot, po ia kishin nxjerrë përhundësh xhanëm. - Ç'shkollë thua moj ditëzezë? Të na turpërosh? Nusja e martuar në burri vete në shkollë. Mos do zotrrote që kur të vish ta kesh drekën e bërë? S'je më te jot ëmë tani. Unë u kam thënë të tërëve që ke mbaruar gjimnazin. E bëre këtë gabim e the sot, po t'u thaftë gjuha po e the më.

Nuk bëri më as gëk as mëk. Çfarë të thoshte? Ç'tu shpjegonte njerzve me këto mendime prapanike? A mund të ndryshonin ata edhe sikur ajo të fliste? Kurrsesi...

-Ik prashit patatet.-e pa shtrembër pas këtyre fjalëve që nxorri. Ajo s'kish bërë kurrë punë fushe, si do ia bënte? Po si nuk ngopej njëherë me punë, si nuk prekte diçka me dorë? E dinte se kundërshtimet do ia bënin më të vështirë punën, kështu që vetëm sa doli në bahçe e mori shatën që qëndronte mbështetur pas një bandieri betoni në hyrje të fushës mbjellë tërë patate që jeshilonin kudo, e tërë ai gjelbërim sikur i fali pakëz qetësi syrit të saj i cili kishte zënë kockë për pak buzëqeshje, për pak jetë.

Sapo kishte filluar, kishte prerë nja dy-tri rrënjë patate ashtu pa dashje dhe i kishte mbuluar që mos i shikonte shtriga plakë se në të kundërt do ia merrte shpirtin, e papritur dëgjoi kërcitjen e derës prej hekuri të hapej.

Nuk mund t'u besonte syve. Në ato momente lotët pa kuptuar i dolën nga sytë, ishin lotë ndryshe nga herët e tjera, nuk ishin lotë trishtimi, por lotë gëzimi. Nuk e kishte menduar se në këtë shtëpi do të ndiente më lumturi të tillë. Nuk e kishte menduar se do të gëzohej aq shumë për ardhjen e dy personave, ishte Eda dhe Jona, dy shoqet e saj më të mira.

Duke vrapuar u nis drejt tyre. Era pranverore i largonte ca fije flokësh që përsëri kishin dalë edhe pse i kishte thurur në një gërshet të rregullt pas shpine. Fustani rozë pala-pala poshtë gjurit, valëvitej si ndonjë flamur i etur për liri,etur për të marrë frymë. Ah, po ashtu ishte vetëm fustani, se ai shpirt nuk merrte më frymë.

U derdh në krahet e tyre e shpërtheu në lot. Ishin ca lot vajtues, ajo sikur shpërtheu. U duk sikur tërë mërzitja grumbulluar si një lëmsh nëpër gjithë trupin që notonte si ndonjë helm a zeher në gjakun e saj të pastër, u zgjua. Gulçonte e qante, mundohej që zërin ta mbante brenda.

-Proksima, po ç'të paskan bërë kështu?- foli më në fund Eda pasi pa gjendjen e shoqes së saj. E mbërtheu në një përqafim kockëthyerës, donte që t'i bashkonte ndonjë copëz zemre të thyer, shpërndarë, po ishte e pamundur. Ajo zemër nuk ishte krisur, ajo zemër ishte bërë copë e çikë e copat e saj nuk kishte burrë nëne që i gjente e i bashkonte.

-Kush është moj nuse?- dëgjoi atë zë aq acarues për të, të vinte që nga ballkoni i shtëpisë. Fshiu lotët me cepin e fustanit, mblodhi veten, se e sigurt që do i bënte një mijë e një llafe nëse do e shikonte në atë gjendje, duke i thënë se ankohej për ta, i mbante nëpër gojë.

Proksima e Tokës.Where stories live. Discover now