Pjesa 32.

607 99 55
                                    

Jeta i ishte bërë ferr. Monotoni sfilitëse që ia merrte frymën pak nga pak. Dëshpërim plaçkitës që shkatërron çdo qelizë të gjallë në trupin tënd, ashtu si një virus hyn në organizëm, kopjon materialin gjenetik dhe e gllabëron, e përpin gjithë trupin tënd, të vjedh lumturinë, vjedh dëshirën e ëmbël për të jetuar.

Nuk i ndiente këmbët se tërë ditën punonte sa në shtëpi, me dhitë, ashtu edhe në fushë. Duart i kishte flluska-flluska nga lopata, fytyrën e përvëluar nga Dielli i korrikut. Ajo ishte një hirushe pa princ që ta shpëtonte me këpucën e kristaltë, nuk kishte ndonjë zanë që t'i jepte atë që i duhej për t'u arratisur, për të shkuar në ballo, ajo ishte e vetme mes gjithë kësaj lufte, ishte vetëm ajo dhe lotët, të cilët së fundmi i ishin bërë të pandashëm nga sytë e saj. Nuk kishte mbrëmje që jastëku të mos pinte ata lotë, nuk kishte mbrëmje që hëna të mos dëgjonte gulçimat e saj a tentativat për mos nxjerrë zë teksa shpirti i vajtonte.

Si të mos mjaftonin torturat në punë i duhej të merrej edhe me fjalët e rënda e ofenduese të vjehrrës, nga më të ultat, nga më fyeset.

Apo Gjergji...Kurrkund nuk shihej tërë ditën, kushedi nga harakopej, kurse natën vinte në qejf për tia kaluar mirë me bashkëshorten e tij, pavarësisht se ajo ishte aq e lodhur sa mezi i mbante sytë hapur.

Nuk kishte asnjë që të fliste në atë shtëpi. Ndihej e huaj dhe e vetme...

E këtë natë kishte kaluar mesnata. Para një viti kishte qënë duke e pritur entuziaste 17-vjetorin e saj, kurse tashmë, me lot në sy, e mpirë nga lodhja, e po mos kishte qënë për Edën që e kishte uruar sapo kishte hyrë 15 korriku, do e kishte harruar fare që 18 vite më parë ajo lindi, lindi një femër më shumë për të vuajtur në këtë botë mizore. E për herë të parë në jetën e saj, i tha vetes

'Sikur të mos kishte lindur'

-Erdhi Gjergji?- e zgjoi nga mendimet e vjehrra, e cila kishte hyrë në dhomën e saj duke e gjetur ulur në dritare, ashtu si zakonisht duke vëzhguar yjet e qiellin, natën e hënën.

-Jo.- ia ktheu thatë pa i ndarë sytë nga terri. Po mbaronte për gjumë, por nuk guxonte të flinte,sepse ishte e detyruar ta priste të shoqin derisa të vinte, në të kundërt, kushedi ç'ndodhte.

E nënshtruar, e nënshtruar ajo femër!

-Bir! Bir i nënës nga je? A është gjallë? Qyqa unë djali, më iku djali.- filloi të vajtojë nëpër shtëpi duke zënë kokën me dorë e asaj nuk i bënte më përshtypje. Kështu bënte sa herë Gjergji vonohej, duke vajtuar me zë, duke ndjellë vdekjen e tij, alurimat e saj ia ushqenin urrejtjen në shpirt. Mëkat të duash vdekjen e dikujt, por le të bëhej dhe ajo mëkatare! Ishte lodhur duke qënë gjithmonë shënjtorja e përvuajtur.

Shpërfilli britmat e dëshpëruara të vjehrrës, por nuk mundi të shpërfillë trokitjen e rëndë të derës.

Si fillim ndjeu aromën e rënduar të alkoolit të hynte në dhomën e saj e më pas pa prezencën e tij së bashku me vjehrrën që qëndronte nga pas tij.

-Përse s'u ngrite t'i hapësh derën djalit moj?

-Ishe ti në korridor.

-Pse e martova djalin unë, tia bëj vetë yzmenë?

-Derën hape.

-Kujt i flet me këtë gjuhë ti? Gjergj, shiko mo bir, shiko ç'fute në derë. Gojën sa një kamare.

-Mos i fol mamasë ashtu se ta këputa kokën.- lëshoi një hov fjalësh e një dallgë mbytëse arome.

Helm! Helm ishte dhe shpirti e zemra e tij!

Proksima e Tokës.Where stories live. Discover now