Pjesa 33.

672 96 220
                                    

'Oh, moj jetë e mallkuar,ç'je kështu? Si nuk ngopesh njëherë duke vjedhur buzëqeshje? Si nuk hap një derë pasi mbyll një tjetër? Si të le në udhëkryq e çdo rrugë që zgjedh është një makth më vete?

Oh, moj jetë e mallkuar, je dhuratë për njerëzinë, por unë do të të quaja një dhuratë të hidhur, mallkuar kush të merr, është i mallkuar kush lind. I mallkuar!

Bishë e babëzitur je moj jetë që ushqehesh me lotë njerzish, ushqehesh me dhimbje. Si ajo bisha e përrallave të hershme, që gllabëronte vajzat e vogla të fshatit, ashtu je dhe ti, gllabëron shpirtra të pakalitur, shpirtra ëndërrimtarë që nuk kërkonin shumë, përveçse plotësimit të atyre ëndrrave, janë shpirtra që nuk kërkuan shumë nga ti, shpirtra që kënaqeshin me pak, oh s'e ke idene me sa pak, me vetëm një buzëqeshje, me vetëm një përqafim, e në fund të fundit kërkuan vetëm të jetonin, po ti ç'bëre?

Oh moj jetë e mallkuar, mallkuar qofsh!'-gërmat e fundit u bënë njësh me lotët e nxehtë e të pavetëdijshëm të saj të cilët kishin bërë që boja e zezë e stilolapsit vende-vende të krijonte njolla e vurrata sterrë të zeza ashtu si njollat e krijuara në trupin e saj të gjorë vocërrak.

I dhimbte trupi, i digjte shpirti tashmë i zhuritur, i uritur për pakëz qetësi, por zor, zor se e gjeje atë qetësi në atë stuhi ndjenjash thellë saj.

Nata e kaluar kishte qënë e tmerrshme për të. E kishin shpërfytyruar atë krijesë të pafajshme, aq të imët, të pambrojtur dhe shkaktare për këtë kish' qënë gota satanike që mbante atë turbullirë të helmatisur alkooli e një grua plakë që me siguri shpirtin ua kishte shitur demonëve, errësirës, se askush nuk do e bënte atë vepër të ulët,një femër për më tepër. Një femër për një femër!

Nga qenien më të bukur në botë e kishin shndërruar në një të panjohur, bujtëse të grushtave shkëmb të fortë, të lyer me llum katran të zi, vrer e zeher. Qëndronte fshehur si një plaçkitëse e vetmisë, për të mos treguar se ishte dhunuar, zhytur në errësirën therëse të dhomës së saj, që kishte qënë dëshmitare e makabrës së një natë më parë.

Qante! Vetëm qante e gjora edhe pse kishin kaluar orë, kishte ardhur mëngjesi, hëna ishte larguar e dielli kishte ardhur. Po ç'i hynte asaj në punë drita kur brenda saj bënte errësirë, pus?
Thellonte mendimet dhe vështronte sesi lotët vërshonin edhe më tepër, sikur mendimet të ngacmonin plagët e gjakosura me gjakun ende të patharë.

Qante me ca lotë të nxehtë të cilët përvëlonin sipërfaqen e lëkurës së saj,por sikur...Sikur të ishte vetëm kështu. Ato lotë gërryenin tërë qenien e saj, se buronin thellë-atje ku burojnë ndjenjat, atje ku buron çdo emocion i fortë, ishin të fortë, ashtu si dhimbja, ashtu si shtrëngimi i zemrës.

Qëndroi ashtu për orë të tëra, pa dashur të shpjegonte përse... Përse ajo? Përse asaj? Sa i gjente këto përgjigje, fati ia ndërronte pyetjet. Sa e thjeshtë është përgjigja për dreq! Nëse jo ajo, atëherë me siguri do të ishte dikush tjetër, e tillë është gatuar kjo e mallkuar jetë për dreq.


Ç'të bënte? Ku të degdisej? Ku të lumosej? Në ç'derë të trokiste? Ku të gjente shpëtim? Ku të gjente ngrohtësi? A kishte ajo vatër familjare? Asaj vatre i kishte rënë zjarri me kohë, ishte bërë shkrumb e hi.

Në shtëpi nuk kthehej më, nuk do e pranonin dhe ia kishin bërë të qartë që në fillim, që nëse ndahej nga burri nuk e kishte të hapur derën, se do i turpëronte edhe më keq.

E ëma i kishte thënë se edhe nëse do të hante dajak nga burri të duronte, ashtu si ajo kishte bërë se ishte femër dhe femrat janë lindur për të duruar, janë lindur për të qënë gjithçka për këtë botë të helmuar ; dashuri për një mashkull, nënë për një mashkull, motër për një mashkull, prostitutë për një mashkull, lodër për një mashkull, shfryrje epshesh për një mashkull, thes rëre për një mashkull, top futbolli, leckë, rreckë për një mashkull. Oh, gjithçka për meshkujt! Ajo mund të bëhet gjithçka për një mashkull, por ç'mund të bëhet për vete?
A mundet të bëhet diçka, apo kur vjen puna te vetja e tërë forca e mbinatyrshme e kësaj qenie hyjnore të zbehet e zhduket si një re pluhuri?

Proksima e Tokës.Where stories live. Discover now