Pjesa 15.

563 94 49
                                    

Ishte fundi i shkurtit megjithatë i ftohti nuk ishte larguar ende. Ditët sikur shtynin njëra-tjetrën e papritur e pa kuptuar humbisnin, veniteshin, zhdukeshin...

Ishte gëzuar pa masë kur i kishin lajmëruar për ekskursionin në një fshat turistik të Korçës, në Dardhë. Më në fund doli diçka që do i thyente monotoninë, atë monotoni që e skllavëronte në heshtje çdo ditë, ia merrte shpirtin dhe ajo nuk e kuptonte, thjesht pyeste veten përse kishte një dëshirë të madhe për të shpërthyer në lotë, çdo mbrëmje para se gjumi ta rrëmbente.

Shikonte nga dritarja e minibusit, malet e thepisura nëpër ato rrugë që ecnin me ngadalë me frikën se mos rrëshkisnin e ajo po e shijonte atë peizazh. Diku shikonte gjurma dhelpre a ndonjë ujku të lëna shenjë në borë, diku shikonte pemë të moçme që qëndronin kryelartë mes majave më të larta të atyre maleve. Shikonte borën vende-vende të shkrirë nga Dielli aq rrezeartë i asaj dite të premte
.

Pa poshtë e kuptoi se gjendeshin goxha lart. Nëse do të binin që aty nuk do u ngelej as nam e as nishan, ndoshta trupi i tyre do të kacavirrej nëpër pemët që qëndronin si në zbritje, ndoshta do të copëtohej në ndonjë shkëmb të mprehtë e ndoshta do të mbeteshin brenda ngecur në minibus të copëtuar e pa gjymtyrë. Gjithmonë e kishte menduar vdekjen e saj, si do të ishte ajo?

A do të kishte njerëz që do kujtonin se dikur, diku jetoi një Proksimë?

Në sekondin e ardhshëm e gjeti veten të frikësuar nga ato mendime që e kishte futur veten dhe instiktivisht kishte shtrënguar dorën e Edës, pasi ishin ulur në një sedilje.

-Si e pate ti?

-Imagjino sikur të vdesim sot.

-Qepe. Nuk dua sot asgjë nga ti dhe imagjinata jote vrastare.- qeshi me ato fjalë dhe kësaj here mendoi për gjëra të bukura derisa minibusi ndaloi për të lajmëruar mbërritjen në destinacion.

U kënaq kur syri i zuri tërë atë borë. E donte borën, ashtu siç donte shumë gjëra të tjera si Hënën,Diellin gjethet, yjet, retë, çokollatat...

-Shiko. Qënka dhe klasa e Gledisit.

-Përse? Përse si rrodhe kudo?

-Si bën, sikur s'i pëlqeu.

-Mendova se më në fund do kishte një ditë pa 'Gledis' në të.

-Ai 'universi' që ti aq shumë e përmend nuk dashka kështu, pra.

Shfryu dhe vazhdoi me klasën në atë restorantin e vogël dhe të drunjtë që ndodhej te 'Pista Bigëll', atë restorant që të ofronte aq ngrohtësi në atë vend të acartë.

Nuk vonoi shumë, pasi kishte mbaruar pjatën e porositur, që doli jashtë dhe mori skitë. E donte atë sport, ndonëse nuk e praktikonte shpesh, ama kishte goxha ekuilibër.

Mori teleferikun dhe shkoi deri në një lartësi të konsiderueshme.

Me kaq vendosi të lëshohej e menjëherë sapo ndjeu molekulat e ftohta të ajrit të puthnin fytyrën e saj të butë e të bardhë buzëqeshi. U ndje e lirë, sikur asgjë nuk mund ta pengonte.

Ndjeu flokët të fluturonin së bashku me shpirtin e saj nën ndikimin e shpejtësisë. Ndjeu adrenalinën të shpërthente teksa i erdhi një dëshirë e madhe për të bërtitur, sikur donte t'u tregonte të gjithëve që ishte e lumtur, e atë e bënin të lumtur edhe gjërat më të vogla, dhe ndjesia e lirisë, ndonëse e dinte dhe vetë ajo që s'do të zgjaste përgjithmonë, ama vendosi të shijojë momentin.

Si duket atij momenti i erdhi fundi kur ndjeu të përplasej me dikë, të rrokullisej disa centimentra para se të ndalonte e mbi trupin e saj të ndiente një peshë të rëndë. Kishte mbyllur sytë nga frika dhe më në fund guxoi t'i hapë për të vërtetuar se ishte gjallë.

Proksima e Tokës.Where stories live. Discover now